**Rrugë e re 17 kilometra nga Rinasit në Unazën e Madhe, ja cilat zona do të përshkojë**
Një aks i ri rrugor pritet të lidhë zonën e Rinasit me Unazën e Madhe të Tiranës, duke u krijuar automjeteve që vijnë nga veriu mundësinë të shmangin trafikun në qendër të Kamzës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për studimin dhe projektimin e kësaj rruge, me një fond limit prej 138.6 milionë lekësh, pa TVSH. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 11 nëntori.
Sipas dokumenteve të tenderit, aksi i ri parashikohet të ketë një gjatësi prej rreth 17 kilometrash. Ai do të nisë në jug të nyjes së Rinasit, ku lidhet me autostradën Thumanë–Kashar, dhe do të përfundojë në Unazën e Madhe të Tiranës, në zonën e Paskuqanit.
Gjurma e propozuar përfshin zonat e Valiasit dhe Zallherrit, si dhe kryqëzimin me rrugën Kamëz–Fushë-Krujë. Përveç lehtësimit të qarkullimit drejt kryeqytetit, projekti synon të përmirësojë lidhjen me autostradën Tiranë–Elbasan dhe Korridorin VIII.
Aksi do të projektohet si rrugë kryesore ndërurbane. Kompania konsulente do të duhet të shqyrtojë të paktën dy alternativa për gjurmën e saj, ku njëra duhet të përfshijë përdorimin e rrugëve ekzistuese.
Studimi do të përcaktojë gjithashtu nyjet lidhëse, rrugët dytësore për zonat e banuara dhe masat e nevojshme për sigurinë rrugore. Projekti parashikon shqyrtimin e mbikalimeve për këmbësorët dhe ndriçimit në kryqëzime e pranë zonave të banuara.
Një tjetër element i rëndësishëm është identifikimi i pronave që do të preken nga ndërtimi, llogaritja e kostove të shpronësimit dhe përllogaritja e vlerës së përgjithshme të investimit.
Kostoja përfundimtare e ndërtimit nuk është përcaktuar ende dhe pritet të dalë nga studimi dhe projektimi i aksit të ri rrugor.
