Skip to content

Pas kritikave të shumta, Luiz Ejlli thyen heshtjen dhe tregon çfarë fshihet pas emisionit të tij

Luizi sqaron polemikat për emisionin “Live me Luizin”: Ja çfarë nënkupton titulli

Premiera e emisionit “Live me Luizin” në Top Channel ka ngjallur diskutime në rrjetet sociale, jo vetëm për debutimin e Luiz Ejllit si moderator, por edhe për emërtimin e programit. Shkak u bë fakti se episodi i parë ishte regjistruar paraprakisht dhe nuk ishte transmetuar drejtpërdrejt.

Disa shikues e konsideruan përdorimin e fjalës “Live” si çorientues, pasi kishin pritur që emisioni të transmetohej në kohë reale. Pas kritikave, Luizi ka reaguar ndaj një ndjekëseje në rrjetet sociale, duke shpjeguar kuptimin e titullit.

“Live me mua janë të ftuarit, pra live me Luizin. Gjithashtu muzika është live”, shkroi ai.

Përmes këtij reagimi, këngëtari sqaroi se emri i emisionit lidhet me praninë e të ftuarve në studio dhe interpretimet muzikore live, dhe jo domosdoshmërisht me transmetimin e drejtpërdrejtë të gjithë programit.

Në puntatën e parë, të transmetuar të premten, të ftuar ishin emra të njohur të skenës shqiptare, si Alketa Vejsiu, Manjola Nallbani, Sinan Vllasaliu, Gjergj Leka dhe Eli Fara.

Prania e Eli Farës kishte tërhequr gjithashtu vëmendjen, në një kohë kur emri i këngëtares ishte përmendur në diskutimet publike të ditëve të fundit lidhur me video private të shpërndara në internet. Gjatë transmetimit, shikuesit u informuan se episodi ishte i regjistruar.

Kritika ndaj Top Channel pati edhe nga Arjan Konomi, i cili vuri në pikëpyetje përdorimin e titullit “Live me Luizin” për një format që nuk transmetohet drejtpërdrejt.

Me reagimin e tij në Instagram, Luizi ka dhënë versionin e vet për zgjedhjen e emrit, ndërsa diskutimi rreth formatit të ri televiziv vijon në rrjetet sociale.

Published inNews Shqip