Skip to content

“Mos e bëni këtë!”/ Rama u jep ultimatum deputetëve socialistë, paralajmërimi i fortë ndaj PS-së

Rama paralajmëron deputetët socialistë: Kush nuk voton reformën territoriale, të largohet nga PS-ja

Kryeministri Edi Rama u ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë deputetëve socialistë gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar këtë të enjte, duke kërkuar mbështetjen e tyre për reformën territoriale.

Sipas gazetarit Muhamed Veliu, i cili citon burime nga brenda mbledhjes, Rama është shprehur se deputetët që nuk e votojnë reformën nuk kanë vend në Partinë Socialiste.

“Kush nuk voton reformën territoriale sot, le të ikë”, raportohet të ketë deklaruar kryeministri.

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për situatën gjatë nisjes së seancës plenare. Ai pretendoi se mbledhja e socialistëve është shoqëruar me debate dhe presion ndaj deputetëve që mund të kundërshtojnë ndryshimet që parashikojnë shkrirjen e 15 bashkive.

Ndërkohë, vëmendja është përqendruar te qëndrimi i deputetëve socialistë Vullnet Sinaj dhe Erion Braçe, të cilët janë përmendur si emra që mund të ndikojnë në votimin e reformës.

Sipas raportimeve mediatike, Vullnet Sinaj, deputet i Vlorës, i cili më herët kishte votuar kundër shkrirjes së 15 bashkive në Komisionin e Ligjeve, ka vendosur këtë herë të mbështesë reformën.

Pas këtij zhvillimi, mbetet për t’u parë se çfarë qëndrimi do të mbajë Erion Braçe, i cili, sipas raportimeve, ende nuk kishte bërë të ditur nëse do të votonte pro apo kundër ndryshimeve territoriale.

Votimi pritet të tregojë nëse mazhoranca do të arrijë të sigurojë mbështetjen e nevojshme për reformën, ndërsa debati për të ardhmen e bashkive dhe riorganizimin territorial vijon të jetë në qendër të vëmendjes politike.

Published inNews Shqip