Rama njofton krijimin e Ministrisë së Administratës Publike, Adea Pirdeni pritet të jetë në krye të saj
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të ngrihet Ministria e Administratës Publike, një institucion i ri që synon të marrë një rol më të rëndësishëm në modernizimin e administratës shtetërore dhe në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë argumentoi se krijimi i kësaj ministrie lidhet me nevojën për t’i kushtuar më shumë vëmendje administratës publike, e cila, sipas tij, është kthyer në një nga çështjet kryesore të punës së ekzekutivit dhe të ndërtimit të mëtejshëm të shtetit europian.
“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht sepse tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë, por është një temë shumë qendrore edhe e shtetbërjes së mëtejshme europiane të Shqipërisë”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se përmes këtij institucioni synohet zgjerimi i përgjegjësive dhe objektivave për përmirësimin e funksionimit të administratës, duke marrë në konsideratë edhe praktikat e ndjekura nga vendet e tjera europiane.
Sa i përket drejtimit të ministrisë së re, Rama la të kuptohet se këtë detyrë pritet ta marrë Adea Pirdeni, aktualisht ministre e Shtetit për Administratën Publike.
“Në këndvështrimin tim nuk diskutohet që Ministrinë e Administratës Publike mund ta drejtojë vetëm ministria e shtetit për Administratën Publike”, u shpreh kryeministri.
Krijimi i ministrisë së re pritet të konkretizohet javën e ardhshme, ndërsa objektivat e saj do të lidhen me forcimin e administratës publike dhe përmirësimin e kapaciteteve institucionale në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit. /Top Channel
