Insajderi ka mësuar se personi i dyshuar për vrasjen e dyfishtë në Livoq të Ulët të Gjilanit dyshohet se ka vrarë bashkëshorten dhe vëllain e saj. Ndërkohë, vëllai tjetër i gruas ka mbetur i plagosur dhe raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ngjarja e rëndë është shënuar pasditen e së premtes, më 9 tetor, pasi Policia e Kosovës është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në këtë fshat të Gjilanit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar për Insajderin se nga ngjarja kanë humbur jetën dy persona, një burrë dhe një grua, të dy rreth 30 vjeç, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur.
Sipas policisë, i dyshuari është dorëzuar vetë në autoritetet përkatëse. Gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës.
Deri më tani, motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë mbetet i paqartë. Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet që çuan në vrasjen e dyfishtë.
Insajderi do të vijojë të raportojë për zhvillimet e mëtejshme të rastit.
