Italia po përgatitet të hapë procedurat për punësimin e 165 mijë e 850 shtetasve të huaj gjatë vitit 2027, duke krijuar mundësi të reja edhe për shqiptarët që dëshirojnë të punojnë në vendin fqinj.
Sipas udhëzimeve të publikuara nga Ministria italiane e Punës, nga 23 tetori deri më 7 dhjetor 2026, punëdhënësit do të kenë mundësi të plotësojnë elektronikisht kërkesat për punësimin e shtetasve nga vendet jashtë Bashkimit Europian.
Nga kuotat e përcaktuara për vitin e ardhshëm, 89 mijë vende pune do të jenë për punonjësit sezonalë, kryesisht në bujqësi dhe turizëm.
Ndërkohë, 76 mijë e 200 kuota janë parashikuar për punësimin josezonal në sektorë të ndryshëm, përfshirë ndërtimin, industrinë, tregtinë, transportin, logjistikën dhe shërbimet. Një pjesë e veçantë, prej 14 mijë vendesh, do t’u dedikohet punonjësve të kujdesit dhe asistencës familjare. Për të vetëpunësuarit janë rezervuar 650 kuota.
Shqiptarët dhe kosovarët përfshihen në skemën e punësimit. Për punësimin josezonal, Italia ka parashikuar 25 mijë kuota për një grup shtetesh ku bën pjesë edhe Shqipëria. Megjithatë, nuk është përcaktuar një numër i veçantë vetëm për shtetasit shqiptarë.
Procedura do të zhvillohet në disa etapa. Fillimisht, nga 23 tetori, punëdhënësit do të mund të paraplotësojnë kërkesat në portalin e Ministrisë së Brendshme italiane.
Dërgimi përfundimtar i aplikimeve do të nisë më 12 janar 2027 për sektorin e bujqësisë, më 9 shkurt për turizmin, më 16 shkurt për punësimin josezonal dhe më 18 shkurt për asistencën familjare.
Aplikimet duhet të kryhen nga punëdhënësit në Itali, ndërsa punësimi do të varet nga plotësimi i kushteve ligjore, marrja e autorizimit për punë dhe pajisja me vizë.
Këto kuota janë pjesë e programit italian për emigracionin e ligjshëm për periudhën 2026–2028, i cili parashikon gjithsej 497 mijë e 550 hyrje për motive pune.
Duhet theksuar se shifrat e publikuara përfaqësojnë numrin maksimal të hyrjeve të planifikuara dhe nuk nënkuptojnë se vendet e punës janë të garantuara apo se kontratat janë nënshkruar paraprakisht.
