56 të arrestuar dhe 97 të proceduar pas protestës në Tiranë, 24 efektivë policie të lënduar
Policia e Tiranës ka publikuar detaje zyrtare lidhur me protestën e zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet, ku u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë, si dhe dëmtime të pronave publike e private.
Sipas njoftimit zyrtar, në përfundim të veprimeve hetimore janë arrestuar 56 persona, ndërsa 97 të tjerë janë proceduar penalisht, pasi dyshohen për përfshirje në veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.
Policia bën me dije se gjatë protestës, disa pjesëmarrës hodhën gurë, sende të forta dhe lëndë piroteknike në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve shtetërore.
Gjithashtu, raportohet për dëmtime të bizneseve, bankave, sinjalistikës rrugore, ndërtesave institucionale dhe pronave të tjera publike e private. Sipas autoriteteve, gjatë incidenteve janë djegur edhe automjete të Policisë.
Si pasojë e përplasjeve, 24 punonjës të Policisë kanë mbetur të dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore.
Në njoftimin e saj, Policia ka bërë publike edhe inicialet dhe moshat e personave të arrestuar, përfshirë 16 të mitur të moshës 15 deri në 17 vjeç.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht ngjarjet, për të identifikuar persona të tjerë që dyshohet se janë përfshirë dhe për të referuar materialet përkatëse në Prokurori.
Policia thekson se veprimet hetimore dhe procedurale po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.
