Skip to content

Presidenti Begaj merr vendimin e radhës, mesazhi i tij në fokus

Presidenti Begaj reagon pas tensioneve në Tiranë: Bën thirrje për qetësi dhe dialog

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas përshkallëzimit të protestave në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe duke u bërë thirrje qytetarëve për qetësi, maturi dhe dialog.

Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve, kreu i shtetit theksoi se zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet, veçanërisht ai i të rinjve, të cilët përfaqësojnë të ardhmen e Shqipërisë. Megjithatë, ai nënvizoi se dhuna nuk mund të jetë një mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Begaj u bëri thirrje protestuesve dhe të gjithë aktorëve të përfshirë që të shmangin përplasjet dhe të angazhohen në dialog, me qëllim ruajtjen e rendit kushtetues dhe stabilitetit të vendit.

Në reagimin e tij, Presidenti shprehu gjithashtu solidaritet me personat e lënduar, duke u uruar shërim të shpejtë si efektivëve të policisë, ashtu edhe protestuesve. Ai vlerësoi rëndësinë e përgjegjshmërisë në këtë situatë të tensionuar dhe theksoi se dallimet duhet të shërbejnë si nxitje për dialog, e jo përçarje.

Kreu i shtetit deklaroi se mbetet i gatshëm, në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese, të krijojë hapësirë për dialog dhe mirëkuptim, duke ftuar të gjitha palët të bashkëpunojnë në interes të të rinjve dhe të Shqipërisë.

Mesazhi i plotë i Presidentit Bajram Begaj:

Të dashur qytetarë,

Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët dhe shtëpia e të gjithëve.

Kam ndjekur me vëmendje protestat dhe kërkesat e qytetarëve, por edhe aktet e dhunës të shënuara gjatë dy ditëve të fundit.

Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Kjo është një e drejtë që nuk mund dhe nuk duhet të vihet në diskutim.

Megjithatë, dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë zgjidhje. Ajo dëmton shoqërinë, rrezikon sigurinë e qytetarëve dhe thellon përçarjet në bashkëjetesën demokratike.

Në këto momente, Shqipëria ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog. Dallimet duhet të na nxisin të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë zgjidhje në interes të qytetarëve dhe të vendit.

U bëj thirrje të gjithëve të tregojnë maturi, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e Shqipërisë. Inkurajoj forcat e rendit në përmbushjen e detyrës së tyre delikate dhe uroj shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit, qofshin policë apo protestues.

Në ushtrim të përgjegjësive dhe kompetencave që më njeh Kushtetuta, mbetem i gatshëm të kontribuoj për krijimin e një hapësire dialogu dhe mirëkuptimi. U bëj thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të angazhohen për dialog dhe bashkëpunim, në të mirë të rinisë dhe të Shqipërisë.

Published inNews Shqip