Krim i rëndë në Romë: Vriten me thikë çifti dhe vajza 8-vjeçare, djali 20-vjeçar mbijeton
Një ngjarje tragjike ka tronditur zonën e Casalotti-t, në periferi të Romës, ku një çift dhe vajza e tyre 8-vjeçare janë gjetur të vrarë me thikë brenda banesës së tyre.
Nga sulmi ka mbijetuar djali 20-vjeçar i familjes, i cili ka marrë plagë dhe po trajtohet në spital. Ndërkohë, policia italiane është vënë në kërkim të një personi të njohur të të riut, i cili dyshohet se mund të ketë lidhje me ngjarjen.
Viktimat janë identifikuar si Kamal Udiu, 39 vjeç, bashkëshortja e tij Arzu Udiu, 38 vjeçe, dhe vajza e tyre e mitur. Familja ishte me origjinë nga Bangladeshi.
Sipas informacioneve paraprake, krimi ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në një apartament në rrugën Via Montiglio. Fqinjët kanë raportuar se kanë dëgjuar britma rreth orës 22:00 dhe se më pas kanë parë një person që largohej me shpejtësi nga ndërtesa.
Pas ngjarjes, autoritetet italiane kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi, duke përdorur edhe dronë me kamera infra të kuqe për të kontrolluar zonat përreth dhe hapësirat e pyllëzuara pranë Casalotti-t.
Djali 20-vjeçar, i cili po merr trajtim në Poliklinikën Gemelli në Romë, është marrë në pyetje nga hetuesit. Sipas pistave paraprake, një konflikt brenda banesës mund të ketë përfunduar në sulmin fatal. Megjithatë, rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten ende nën hetim.
Dëshmitarët kanë deklaruar se kanë parë një person të veshur me bluzë blu duke u larguar nga ndërtesa. Ndërkohë, hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe të dhënat e telefonave celularë, me qëllim rindërtimin e kontakteve të fundit të viktimave.
Shërbimet e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje, por nuk kanë mundur t’u shpëtojnë jetën tre viktimave. Policia ka rrethuar zonën dhe ka marrë në pyetje fqinjë dhe persona të njohur të familjes.
Deri tani, motivi i krimit nuk është bërë i ditur. Autoritetet po vijojnë hetimet dhe kërkimet për të identifikuar e lokalizuar të dyshuarin, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë larguar nga Roma.
