Kontrolle të shtuara në Gjakovë, Policia dërgon automjetet me parregullsi në kontroll teknik
Policia e Kosovës ka intensifikuar kontrollet në rajonin e Gjakovës ndaj automjeteve që nuk përmbushin kushtet teknike për qarkullim të sigurt në rrugë.
Sipas njoftimit zyrtar, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor po përqendrohet veçanërisht te automjetet me xhama të errësuar, ndriçim të modifikuar, sisteme të ndryshuara të shkarkimit të gazrave dhe pajisje që shkaktojnë zhurmë të tepërt, si dhe te ndërhyrjet e tjera të paautorizuara.
Policia bën të ditur se automjetet ku evidentohen parregullsi dërgohen për kontroll të jashtëzakonshëm teknik, me qëllim verifikimin e gjendjes së tyre dhe përmbushjen e standardeve të sigurisë.
Gjatë këtij viti, një numër i konsiderueshëm automjetesh janë dërguar për kontrolle të tilla, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë thirrje shoferëve që të mos kryejnë modifikime të palejuara në automjetet e tyre, të kujdesen për mirëmbajtjen teknike dhe të respektojnë rregullat e trafikut.
Policia thekson se kontrollet synojnë parandalimin e rreziqeve në rrugë dhe garantimin e një pjesëmarrjeje më të sigurt të të gjithë përdoruesve të komunikacionit.
