Skip to content

Vendim që trondit veteranët dhe invalidët e UÇK-së, ja çfarë pritet të ndodhë!

Komisioni për Buxhet nuk e ka miratuar amendamentin që parashihte ndarjen e një milion eurove shtesë për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës së UÇK-së.

 

Amendamenti u shqyrtua në kuadër të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2026, por nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme. Në votim, pesë anëtarë votuan pro, asnjë kundër, ndërsa pesë të tjerë abstenuan.

 

Propozimi ishte paraqitur nga Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Persona të Pagjetur. Ai synonte sigurimin e mjeteve shtesë për nevojat mjekësore të invalidëve të luftës.

 

Gjatë diskutimit, ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se mbulimi i këtyre shpenzimeve është i rregulluar përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, të miratuar në mars të vitit 2024, ndërsa financimi realizohet përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

 

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, bëri të ditur se gjatë vitit 2024 ishin nxjerrë dy vendime të veçanta për invalidët e luftës së UÇK-së dhe invalidët civilë të luftës, të cilat përcaktonin mundësinë e mbulimit financiar për protezat.

 

Megjithatë, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e mbështeti amendamentin, duke theksuar se invalidët e luftës vazhdojnë të ankohen për vështirësitë në mbulimin e kostove të protezave.

 

Edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e konsideroi të nevojshëm propozimin, duke theksuar se shumë invalidë janë përballur me vështirësi në sigurimin e protezave dhe, sipas saj, shpesh u është dashur të kërkojnë ndihmë nga miqtë dhe bashkatdhetarët në diasporë.

 

Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, deklaroi se e mbështet amendamentin, por nënvizoi se kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme, përmes përfshirjes së shpenzimeve për proteza në buxhetin e rregullt të Klinikës së Ortopedisë në QKUK.

 

Mosmiratimi i amendamentit do të thotë se propozimi për ndarjen e një milion eurove shtesë nuk mori mbështetjen e Komisionit në këtë votim. /EO

Published inNews Shqip