Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference për mediat të mbajtur të premten, foli edhe për çmimin e naftës dhe ndikimin që tensionet dhe lufta me Iran mund të kenë në treg.
Rama theksoi se qytetarët shqiptarë kanë nevojë për një treg nafte më të përballueshëm se ai aktual. Sipas tij, qeveria synon të krijojë një faktor të ri në këtë treg – një forcë publike shtetërore që do të ndihmojë në uljen e barrës për qytetarët.
“Që në mbledhjen e parë të Asamblesë së shumicës qeverisëse pas zgjedhjeve, kam shprehur se një nga objektivat tona është krijimi i një faktori të ri në tregun e naftës. Një faktor shtetëror që do të krijojë kapacitete për të lehtësuar barrën mbi qytetarët, ashtu siç ndodhi me konkurrencën që nxitëm duke ndryshuar qasjen në tregun e fluturimeve ajrore”, u shpreh kryeministri.
Ai solli si shembull zhvillimin e aviacionit në vend, duke theksuar se sot Shqipëria ka një nga aeroportet më të suksesshme në rajon.
“Sot Shqipëria ka aeroportin më të suksesshëm të Ballkanit. Dikur ishim jashtë hartës, ndërsa sot nuk është më Beogradi kryeqyteti i aviacionit në rajon, por Tirana. Kjo është një arritje e madhe”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se shumë shpejt priten zhvillime të reja edhe në tregun e naftës, duke bërë të ditur se qeveria do të vendosë në dispozicion garanci për të siguruar marrëveshje afatgjata me kompani që merren me shpërndarjen e naftës.
Sipas tij, këto marrëveshje do të synojnë stabilitet në treg dhe çmime më të përballueshme për qytetarët.