SPAK po planifikon një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e hetimit, duke synuar krijimin e një force të posaçme operacionale brenda Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Kjo njësi do të ketë aftësinë të kryejë vëzhgime dhe të infiltronet në hetime “undercover”, me qëllim rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Sipas planit të Prokurorisë së Posaçme, kjo lëvizje synon gjithashtu të garantojë pavarësi të plotë të hetuesve të BKH nga Policia e Shtetit, një institucion tek i cili ata janë mbështetur që nga krijimi i byrosë.
Detajet e këtij projekti janë përmendur në raportin vjetor të SPAK. Propozimi vjen jo shumë kohë pasi institucioni ka shprehur shqetësime për dekonspirim dhe rrjedhje informacioni që kanë çuar në dështimin e disa aksioneve.
“Ngritja e një njësie të tillë brenda strukturës do të kufizojë maksimalisht mundësinë e rrjedhjes së informacioneve gjatë veprimeve hetimore dhe do të zhvillojë një dimension të ri të kapaciteteve hetimore”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Posaçme.
Megjithatë, ende nuk është e qartë pse kjo njësi nuk është ngritur më herët, ndonëse sipas raportimeve, edhe ish-drejtoresha e BKH e kishte kërkuar vazhdimisht krijimin e saj.
Ndërkohë, në godinën ku pritet të zhvendoset Byroja Kombëtare e Hetimit do të kryhen veprimet hetimore me urdhër të prokurorëve të posaçëm. Çdo zyrë e marrjes në pyetje është pajisur me sisteme kamerash dhe regjistrim audio, me qëllim garantimin e monitorimit dhe dokumentimit të plotë gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe deklaruesve.