Një grua ka ndarë në mënyrë anonime historinë e saj personale, duke treguar për dilemën e vështirë që po përjeton prej dy vitesh mes bashkëshortit dhe një burri tjetër me të cilin ka krijuar një lidhje emocionale.
Sipas rrëfimit të saj, bashkëshorti është në dijeni të kësaj marrëdhënieje, pasi çifti ka vendosur të jetojë në një martesë të hapur. Në fillim, lidhja e re ishte menduar si një mënyrë për të thyer monotoninë e përditshme, pa pritshmëri dhe pa përfshirje të thellë emocionale. Por me kalimin e kohës, gjërat kanë ndryshuar.
Gruaja tregon se dy fundjava në muaj i kalon me të dashurin, madje ka krijuar marrëdhënie edhe me familjen e tij. Megjithatë, ata nuk e dinë të vërtetën për jetën e saj, pasi besojnë se ajo është e divorcuar dhe ka një vajzë.
Ajo pranon se ndjenjat për partnerin e ri janë bërë aq të forta, saqë edhe kur ndodhet pranë bashkëshortit apo gjatë pushimeve familjare, mendimet i shkojnë te burri tjetër.
“Kur jam me burrin, mendoj për tjetrin. Edhe kur shkojmë me pushime, mendja më shkon tek ai”, rrëfen ajo.
Pavarësisht kësaj, gruaja thekson se bashkëshorti nuk i ka dhënë arsye të forta për t’u larguar dhe se së bashku kanë ndërtuar një familje të qëndrueshme. Megjithatë, ajo ndjen se lumturia dhe emocionet në martesë janë zbehur, ndërsa në krahët e partnerit tjetër ndihet më e vlerësuar dhe më e dëshiruar.
Dyshimi i saj kryesor lidhet me faktin nëse ndjenjat janë vërtet dashuri apo nëse ajo është tërhequr nga një mënyrë jetese pa detyrimet dhe përgjegjësitë e përditshme.
“Ndoshta nuk po krahasoj dy dashuri, por dy jetë krejt të ndryshme”, shprehet gruaja, duke pranuar se koha që kalon me të dashurin është larg realitetit të përditshëm, ku përballen me punët e shtëpisë, faturat dhe lodhjen.
Tashmë ajo ndodhet përballë një zgjedhjeje të vështirë: të rrezikojë familjen për një lidhje që i sjell emocione të forta, apo të qëndrojë në martesën e saj, edhe pse nuk ndihet më plotësisht e lumtur.
Deri më tani, ajo nuk ka arritur të marrë një vendim, ndërsa frika se mund të humbasë familjen dhe njëkohësisht të kalojë jetën duke u shtirur sikur është e lumtur e bën dilemën edhe më të ndërlikuar.
