Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve planin e ri për pensionet në Shqipëri, duke bërë të ditur se gjatë vitit 2027 do të zbatohen dy ndryshime që synojnë rritjen e mbështetjes financiare për pensionistët.
Sipas Malajt, masat e reja kanë si qëllim rritjen e të ardhurave të kësaj kategorie dhe përmirësimin gradual të kushteve të tyre ekonomike dhe standardit të jetesës.
Ndryshimi i parë lidhet me përshpejtimin e indeksimit të pensioneve. Aktualisht ky proces realizohet në muajin korrik, ndërsa sipas planit të ri, nga viti 2027 do të zhvendoset në muajin prill. Për këtë qëllim është parashikuar një fond shtesë prej rreth 1.35 miliardë lekësh, ndërsa kostoja totale e politikës së indeksimit arrin në 4 miliardë lekë.
Masa e dytë parashikon dyfishimin e bonusit mujor për pensionistët, sipas kategorive të përcaktuara. Ky ndryshim pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, me një kosto të përllogaritur prej 20 miliardë lekësh në vit.
Duke prezantuar këto masa, ministri Malaj theksoi se mbështetja për pensionistët nuk duhet parë vetëm si një shpenzim buxhetor, por si një angazhim për t’u garantuar atyre më shumë siguri ekonomike dhe për t’iu përgjigjur nevojave të tyre.
Në total, të dyja politikat parashikohet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth 24 miliardë lekë për vitin 2027, ose afërsisht 250 milionë euro.
Ndërkohë, zhvendosja e indeksimit të pensioneve në prill, pak javë para zgjedhjeve të 9 majit 2027, ka ngritur edhe diskutime mbi ndikimin e mundshëm politik të kësaj mase.
