Sindikata e Transportit Taksi të Shqipërisë dhe Sindikata e Transportit Taksi për Rrethin e Tiranës kanë paralajmëruar se protestat mund të intensifikohen nëse institucionet përgjegjëse nuk ndërhyjnë për zgjidhjen e problemeve që po shqetësojnë këtë sektor.
Përfaqësuesit e tyre kanë dalë në protestë këtë të mërkurë, duke kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve për përmirësimin e kushteve në të cilat ushtrohet shërbimi taksi.
Sipas sindikatave, një ndër problemet kryesore është rritja e pakontrolluar e numrit të automjeteve të licencuara, por edhe prania e makinave që ofrojnë shërbim pa licencë. Krahas këtyre shqetësimeve, taksistët përballen edhe me kostot e larta të karburantit, taksat dhe tarifat e parkimit, të cilat sipas tyre kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen e të ardhurave.
Sindikatat bëjnë të ditur se më herët kanë tentuar të gjejnë zgjidhje përmes dialogut me institucionet. Për këtë arsye, kanë kërkuar organizimin e një tryeze diskutimi ku të marrin pjesë përfaqësues të Bashkëqeverisjes, Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, Bashkisë së Tiranës, Policisë Rrugore, Policisë së Rendit dhe Policisë Bashkiake.
Megjithatë, përfaqësuesit e tyre shprehen të pakënaqur me reagimin e institucioneve, veçanërisht me atë të Bashkisë së Tiranës, të cilën e konsiderojnë të pamjaftueshme në trajtimin e problematikave të ngritura.
Këto janë kërkesat e taksistëve:
– Zbatimi i tarifave të taksimetrit dhe vendosja e kritereve të qarta për personat që ushtrojnë aktivitetin e transportit taksi.
– Targat, pullat e Bashkisë dhe licencat të jenë në pronësi të personave që e ushtrojnë realisht këtë aktivitet.
– Përjashtimi nga shërbimi i të gjitha automjeteve që operojnë pa licencën përkatëse.
– Ulja dhe stabilizimi i çmimit të karburantit, në përputhje me zhvillimet e tregut ndërkombëtar, si dhe garantimi i cilësisë së tij.
– Trajtimi me përparësi i shërbimit taksi nga strukturat e policisë së qarkullimit rrugor.
– Përcaktimi i numrit të licencave në raport me numrin e banorëve dhe subvencionimi i karburantit, duke marrë parasysh se transporti taksi konsiderohet shërbim publik.
Sindikata paralajmëron se, nëse këto kërkesa nuk marrin përgjigje dhe nuk ndërmerren hapa konkretë, do të vijojë me përshkallëzimin e protestave dhe të veprimeve sindikale.
