Skip to content

Erjon Vishkulli përfundon me sukses operacionin e dytë në Itali, javën tjetër ndërhyrja vendimtare për shikimin

Erjon Vishkulli përfundon me sukses operacionin e dytë në Itali, javën tjetër ndërhyrja për rikthimin e shikimit

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari i cili mbeti i plagosur në sy gjatë protestave në Tiranë, ka përfunduar me sukses operacionin e dytë kirurgjikal në Itali.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Vishkulli përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë me ndjekësit zhvillimet më të fundit nga gjendja e tij shëndetësore.

Pavarësisht suksesit të ndërhyrjes së kryer këtë të mërkurë, beteja e tij për rikuperim nuk ka përfunduar ende. Javën e ardhshme, 28-vjeçari pritet t’i nënshtrohet një tjetër operacioni, i cili konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm për mundësinë e rikthimit të shikimit.

Në mesazhin e tij, Vishkulli shprehet se ndërhyrja e radhës përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme të këtij procesi, ndërsa nuk e fsheh shpresën për të rifituar shikimin.

“Ndërhyrja e sotme ishte e suksesshme, por beteja vazhdon. Javën tjetër kam një ndërhyrje tjetër, ndoshta më e rëndësishmja e gjithë këtij udhëtimi, pasi lidhet drejtpërdrejt me vizionin tim. Pas gjithë dhimbjes dhe sfidave që kam kaluar, shpresa ime më e madhe është të rikthej dritën që dua të shoh në jetën time. Nuk e di çfarë më pret, por di një gjë: Nuk do të dorëzohem kurrë. Zoti më dhëntë forcë! Faleminderit të gjithëve që luten dhe besojnë me mua”, shkruan ai.

Vishkulli vijon të marrë trajtim të specializuar në Itali për dëmtimin e rëndë të syrit. Ndërkohë, vëmendja tashmë është përqendruar te ndërhyrja e ardhshme, nga e cila pritet të vlerësohet edhe mundësia e rikthimit të shikimit.

Published inNews Shqip