Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance, ka zhvilluar një bisedë telefonike të tensionuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë së cilës i ka shprehur kritika të drejtpërdrejta lidhur me vlerësimet e tij për një konflikt të mundshëm me Iran. Lajmi është bërë publik nga Axios.
Sipas burimeve të cituara, Vance ka shfaqur pakënaqësi për mënyrën se si Netanyahu i kishte paraqitur presidentit Donald Trump skenarin e një përplasjeje të mundshme me Iranin, duke e cilësuar atë si tepër optimist dhe jo realist. Në këtë kontekst, përshkallëzimi i konfliktit ishte paraqitur si i shpejtë dhe i menaxhueshëm, ndërsa edhe një ndryshim i mundshëm i regjimit në Iran ishte vlerësuar si më i arritshëm sesa konsiderohet nga ekspertët.
Një zyrtar amerikan ka bërë të ditur se zëvendëspresidenti kishte një pasqyrë të qartë mbi këto qëndrime, madje gjatë komunikimit iu referua Netanyahut edhe me nofkën e tij të njohur “Bibi”.
Pas kësaj telefonate, raportet tregojnë për një thellim të mëtejshëm të tensioneve mes palëve. Një tjetër zyrtar amerikan ka pretenduar se Izraeli po përpiqet të zbehë rolin e Vance, i cili shihet si një figurë kyçe në përpjekjet për arritjen e një armëpushimi me Iranin.
Vance, i njohur për qëndrimet e tij kundër përfshirjes së SHBA-së në konflikte të gjata jashtë vendit, është përfshirë në bisedime së bashku me negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Burime të tjera kanë akuzuar Izraelin se qëndron pas raportimeve që sugjerojnë se Irani synon të negociojë drejtpërdrejt me Vance, duke e konsideruar atë më fleksibël për arritjen e një marrëveshjeje. Megjithatë, sipas Axios, nuk ka prova konkrete që mbështesin këtë pretendim.