Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi sot (1 prill), gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, se përveç koordinatorëve dhe drejtuesve politikë në qarqe, edhe deputetët kanë një rol kyç në rritjen e anëtarësimeve të reja në të gjithë vendin.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 17 prill të mblidhen në Tiranë në një protestë kombëtare të opozitës, duke e cilësuar atë si një reagim ndaj qeverisë dhe një formë rezistence qytetare.
“Edhe një herë u bëj thirrje shqiptarëve: më 17 prill, të gjithë në protestë, në një kryengritje paqësore si zëri i vetëm i qytetarëve. Në Shqipëri ka mbetur vetëm zëri i qytetarëve për t’i dalë zot vetes”, u shpreh ai.
Duke komentuar zhvillimet e brendshme në parti, ai theksoi se procesi i zgjedhjeve në degë dhe struktura po zhvillohet normalisht, por nënvizoi se prioritet mbetet shtimi i anëtarësimeve të reja.
“Zgjedhjet në degë po ecin në normalitet në tërësinë e tyre. Megjithatë, detyra kryesore mbeten anëtarësimet e reja. Secili prej jush mund të japë një kontribut të rëndësishëm në këtë proces, i cili është jetik për Partinë Demokratike”, u drejtua ai deputetëve.
Ai shtoi gjithashtu se emigracioni mbetet një nga sfidat kryesore të vendit, duke e lidhur atë me politikat e qeverisë aktuale.
Në përfundim, kryedemokrati theksoi se anëtarësimet e reja do të jenë një tregues i rëndësishëm i punës së secilit brenda partisë.
“Duhet të angazhoheni maksimalisht në këtë proces. Është kusht thelbësor për forcimin e partisë dhe një tregues i drejtpërdrejtë i kontributit të gjithsecilit”, përfundoi ai.