Sistemi i pensioneve në Gjermania ka nevojë për ndryshime të thella dhe urgjente. Kjo thirrje është bërë nga drejtori i Deutsche Börse, Stephan Leithner, i cili paralajmëron se shteti po shpenzon gjithnjë e më shumë për ta mbajtur funksional këtë sistem.
Sipas tij, kjo situatë nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë.
“Nuk mund të rrimë më duarkryq, ndërsa gjithnjë e më shumë para nga buxheti federal përdoren për të mbuluar boshllëqet në sistemin e pensioneve,” deklaroi Leithner për Dpa, përcjellë KosovaPress.
Ai shpjegoi se sistemi i pensioneve në Gjermani mbështetet në tre shtylla kryesore: pensioni shtetëror, pensionet nga punëdhënësit dhe kursimet private të individëve.
Leithner theksoi se qytetarët duhet të marrin më shumë përgjegjësi për të ardhmen e tyre financiare, duke kursyer dhe investuar më shumë në mënyrë individuale.
Sipas tij, qeveria gjermane ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, përfshirë planet për një llogari investimi të mbështetur nga shteti dhe një skemë pensioni që nis që në moshë të hershme, ku fëmijët do të përfitojnë kontribute mujore nga shteti.
Ai propozoi gjithashtu një kontribut fillestar më të madh për çdo fëmijë në lindje, duke sugjeruar një pagesë të vetme prej 4 mijë eurosh, në mënyrë që të përfitohet nga interesi i përbërë me kalimin e kohës.
Një tjetër propozim i tij është që çdo kontratë pune të përfshijë automatikisht një skemë pensioni nga punëdhënësi.
Nga ana tjetër, kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se qeveria synon të ribalancojë tre shtyllat e sistemit të pensioneve brenda këtij viti dhe të përmirësojë funksionimin e tij.