Policia e Vlorës ka identifikuar dy personat e dyshuar që dhunuan për vdekje një 63-vjeçar dhe po punon për kapjen e tyre.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, në vendin e quajtur “Rruga e Çipave”, ku pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi B. A., 63 vjeç, është goditur me grushte nga dy persona tashmë të identifikuar nga policia.
Si pasojë e dëmtimeve të marra, ai ka humbur ndjenjat dhe është transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku më pas ka ndërruar jetë.
Nga ngjarja ka mbetur i lënduar lehtë edhe djali i viktimës, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacioneve paraprake, autorët e dyshuar janë larguar menjëherë nga vendngjarja, duke u drejtuar drejt autostradës. Policia është vënë në ndjekje të tyre dhe vijon punën për kapjen.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.