Deklarata të forta nga Donald Trump: Paralajmëron Iranin dhe përmend edhe Venezuelën
Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë një konference për shtyp të zhvilluar sot, ka bërë deklarata të forta lidhur me konfliktin me Irani, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara synojnë përfundimin e luftës, por me kushte të qarta.
Ai u shpreh se propozimet për armëpushim janë të mjaftueshme, por theksoi se linja e kuqe mbetet programi bërthamor i Iranit. Sipas tij, armët bërthamore nuk duhet të bien në “duar të gabuara”, dhe nëse autoritetet iraniane ndërmarrin hapat e duhur, konflikti mund të marrë fund.
Megjithatë, Trump përdori tone të ashpra dhe paralajmëruese, duke deklaruar se SHBA-ja ka kapacitetin të ndërmarrë veprime ushtarake të menjëhershme.
“Ne mund ta shkatërrojmë Iranin brenda një nate. Kjo mund të ndodhë edhe nesër,” u shpreh ai, duke paralajmëruar bombardime të mundshme edhe më intensive në vijim.
Paralajmërime për përshkallëzim
Deklaratat e tij u përforcuan edhe nga Sekretari i Mbrojtjes, i cili paralajmëroi për sulme të mundshme të intensitetit të lartë, nëse situata nuk ndryshon.
Trump theksoi se prioriteti kryesor i administratës së tij është të parandalojë që Irani të sigurojë armë bërthamore, duke shtuar se kjo është një çështje sigurie globale.
Operacioni për shpëtimin e pilotit
Në konferencë, presidenti amerikan u ndal edhe te një operacion ushtarak për shpëtimin e një piloti të avionit F-15. Sipas tij, në operacion u përfshinë dhjetëra avionë dhe rreth 200 persona.
Ai e cilësoi misionin si të suksesshëm dhe pa viktima amerikane, megjithëse pranoi se pati dëmtime në mjete ushtarake. Trump kritikoi gjithashtu rrjedhjen e informacionit, duke theksuar se ajo rrezikoi jetën e ushtarëve.
Edhe drejtori i CIA, John Ratcliffe, vlerësoi operacionin si një sukses të koordinuar, duke theksuar kapacitetet e veçanta të agjencisë.
Qëndrimi për akuzat dhe deklarata për Venezuelën
I pyetur nëse sulmet ndaj infrastrukturës civile mund të konsiderohen krime lufte, Trump u përgjigj se shqetësimi i tij kryesor mbetet ndalimi i Iranit për të zhvilluar armë bërthamore.
Në fund të deklaratës së tij, ai bëri edhe një koment të papritur lidhur me Venezuela, duke deklaruar se pas përfundimit të çështjes me Iranin, mund të fokusohet edhe atje.
“Mund të shkoj në Venezuelë, të mësoj spanjisht dhe të kandidoj për president,” u shpreh Trump.
Këto deklarata kanë ngjallur reagime të shumta ndërkombëtare dhe pritet të ndikojnë në zhvillimet e mëtejshme gjeopolitike.