Shoqata e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban pritet të zhvillojnë paraditen e nesërme një mbledhje vendimtare, ku do të diskutohet mundësia e reduktimit të flotës së autobusëve në qarkullim.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, dy shoqatat i janë drejtuar me një tjetër letër ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për dhënien e kompensimit financiar.
Operatorët shprehen se, në mungesë të një reagimi konkret nga institucionet, e kanë të pamundur të vijojnë aktivitetin. Ata theksojnë se pas takimit të zhvilluar më 1 prill ishte premtuar një tjetër mbledhje, e cila ende nuk është realizuar.
Kërkesa kryesore e sektorit mbetet kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, përmes një skeme të ngjashme me atë të vitit 2022. Konkretisht, operatorët kanë propozuar një subvencion prej 100 lekësh për litër nafte.
Sipas të dhënave, në të gjithë vendin operojnë rreth 235 operatorë të transportit publik, të cilët mbulojnë afro 450 linja të rregullta.