Mandatari për kryeministër në Hungari, Peter Magyar, ka paralajmëruar deportimin e ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski.
Gjatë një konference për shtyp, Magyar u pyet nga gazetarët lidhur me dy ish-ministra polakë të kërkuar për korrupsion nga qeveria e re në Poloni, të cilët kanë gjetur strehim dhe kanë marrë azil në Hungari. Ai deklaroi se as ata dhe as Gruevski nuk do të qëndrojnë gjatë në vend.
“Hungaria nuk do të kthehet në një strehë për persona të kërkuar ndërkombëtarisht. Kjo vlen jo vetëm për ish-ministrat polakë, por edhe për Nikolla Gruevskin. Ai është një ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe një person i dënuar”, u shpreh Magyar.
Nikolla Gruevski është në arrati që nga viti 2018, pasi u dënua me dy vite burg në rastin “Tank”. Ai u largua nga vendi dhe më pas fitoi azil politik në Hungari, duke pretenduar se ishte viktimë e përndjekjes politike nga qeveria e atëhershme e drejtuar nga Zoran Zaev.
Në vitin 2019, Hungaria refuzoi zyrtarisht kërkesën e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e tij.