Ushtria amerikane ka ndërmarrë një veprim të fortë në kuadër të bllokadës detare, duke ndërhyrë ndaj një anijeje me flamur iranian që dyshohej se po shkelte kufizimet.
Sipas një deklarate nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), shkatërruesi amerikan USS Spruance interceptoi anijen “Touska”, e cila po lëvizte drejt një porti iranian.
Autoritetet amerikane bëjnë me dije se ekuipazhit të anijes iu dhanë paralajmërime të përsëritura për rreth gjashtë orë, por ato nuk u respektuan. Si pasojë, u dha urdhri për evakuimin e dhomës së motorëve.
Më pas, forcat amerikane ndërmorën veprime direkte duke neutralizuar sistemin e lëvizjes së anijes, me qëllim ndalimin e saj pa shkaktuar përshkallëzim të mëtejshëm.
Sipas CENTCOM, që nga vendosja e bllokadës, janë ndaluar dhe kthyer mbrapsht dhjetëra anije tregtare që tentonin të hynin në zonat e ndaluara.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa zhvillime të tilla po ndiqen me vëmendje të madhe në arenën ndërkombëtare.