Një grabitje e armatosur ka tronditur qytetin Berea në shtetin amerikan Kentucky, ku dy persona humbën jetën.
Sipas autoriteteve, një person i maskuar, i veshur me bluzë me kapuç, ka hyrë në një degë të Bank of America dhe ka hapur zjarr ndaj punonjësve. Si pasojë, një burrë dhe një grua ndërruan jetë në vendngjarje.
Policia bëri të ditur se autori është ende në arrati, ndërsa është ngritur një operacion i gjerë për kapjen e tij. Në kërkim janë angazhuar forca lokale dhe shtetërore, si dhe agjentë të FBI-së.
Në terren po përdoren helikopterë, dronë dhe qen policie, ndërsa hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe informacione të tjera.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo lëvizje të dyshimtë. Për shkak të situatës, shkollat në zonë janë mbyllur përkohësisht.