Një ngjarje e rëndë është raportuar të mërkurën, më 29 prill, në Oslo, ku një 25-vjeçar është gjetur pa shenja jete. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat.
I riu ishte djali i dy diplomatëve të njohur norvegjezë, të cilët së fundmi ndodhen nën hetim për akuza të rënda korrupsioni dhe lidhje të dyshuara me financierin amerikan Jeffrey Epstein.
Sipas raportimeve, hetimet përfshijnë edhe pretendime se Epstein mund të ketë lënë në testament rreth 10 milionë dollarë për fëmijët e çiftit, megjithëse kjo shumë nuk është konfirmuar zyrtarisht si e transferuar.
Autoritetet në Norvegji dhe Francë kanë nisur një hetim të përbashkët ndaj çiftit diplomatik, ndërsa raportohet se edhe institucionet amerikane po shqyrtojnë disa lidhje financiare dhe institucionale që lidhen me këtë çështje.
Të dy prindërit kanë pasur një karrierë të gjatë në diplomacinë ndërkombëtare dhe njihen për angazhimin e tyre në proceset e paqes në Lindjen e Mesme gjatë viteve ’90. Megjithatë, së fundmi ata janë vënë në qendër të vëmendjes për shkak të raportimeve mbi kontaktet me Epstein.
Njëra prej tyre ka dhënë dorëheqjen nga posti diplomatik, duke pranuar ekzistencën e kontakteve me financierin, por duke i cilësuar ato si të kufizuara dhe jozyrtare.
Ndërkohë, hetimet ndaj diplomatit tjetër për financime dhe lidhje me organizata ndërkombëtare janë ende në zhvillim. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një përfundim përfundimtar mbi shkakun e vdekjes së 25-vjeçarit.
Sipas të dhënave zyrtare, i ndjeri nuk ka qenë i përfshirë në asnjë çështje ligjore.