Qeveria ka paralajmëruar një paketë të re sociale që përfshin rritje graduale të pensioneve dhe mbështetje më të madhe për familjet në nevojë. Kryeministri Edi Rama deklaroi se pensionet do të rriten në mënyrë të vazhdueshme, në përputhje me zhvillimin ekonomik dhe të ardhurat e shtetit, me synimin për të përmirësuar standardin e jetesës së pensionistëve në vend.
Sipas tij, procesi nuk do të jetë i menjëhershëm, por i shtrirë në kohë, duke garantuar që çdo vit të ketë rritje të reja për pensionistët, në varësi të gjendjes ekonomike dhe mundësive buxhetore.
Një tjetër masë që pritet të zbatohet është edhe krijimi i një karte ushqimore për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike. Përmes kësaj skeme, qytetarët nuk do të marrin vetëm mbështetje financiare direkte, por do të kenë mundësi të blejnë produkte bazë ushqimore në rrjete të caktuara dyqanesh përmes një karte të posaçme.
Qeveria argumenton se kjo mënyrë do të sigurojë që fondet të përdoren kryesisht për nevojat jetike të familjeve dhe për ushqimin e përditshëm. Në javët në vijim pritet të publikohen detaje të tjera mbi produktet që do të përfshihen në skemë dhe mënyrën e përdorimit të kartës.
Çështja e pensioneve dhe ndihmës ekonomike mbetet një nga temat më të ndjeshme për qytetarët, sidomos për shkak të rritjes së çmimeve dhe kostos së jetesës. Për këtë arsye, qeveria ka bërë të ditur se fokusi kryesor i politikave sociale do të jetë mbështetja për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.