Pakistani po merr rol gjithnjë e më aktiv në zhvillimet gjeopolitike të Lindjes së Mesme, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë që Turqia dhe Katari t’i bashkohen marrëveshjes strategjike të mbrojtjes me Arabinë Saudite.
Sipas mediave ndërkombëtare, ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Asif, deklaroi se diskutimet ndodhen në fazën finale dhe se kjo nismë mund të shndërrohet në një aleancë më të gjerë rajonale sigurie mes vendeve myslimane.
“Nëse Turqia dhe Katari bashkohen, do të ishte një hap pozitiv për stabilitetin dhe sigurinë kolektive në rajon”, u shpreh ai.
Kjo lëvizje vjen në një moment tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit, ku frika për përshkallëzim të konfliktit po ndikon drejtpërdrejt në sigurinë energjetike dhe ekuilibrat gjeopolitikë në Lindjen e Mesme.
Arabia Saudite dhe Pakistani kanë forcuar ndjeshëm bashkëpunimin ushtarak gjatë muajve të fundit, ndërsa nuk përjashtohet krijimi i një blloku të ri strategjik islamik në rajon.