Meteorologu Hakil Osmani ka zbuluar parashikimin e motit për fundjavën dhe ditët e fundit të muajit maj, duke theksuar se temperaturat do të mbeten të larta, ndërsa vranësirat dhe reshjet e shkurtra të shiut do të jenë të pranishme në disa zona të vendit.
Sipas Osmanit, orët e paradites do të dominohen nga kthjellime dhe intervale të gjata me diell, por gjatë mesditës dhe pasdites pritet shtim i vranësirave dhe lagështirës në ajër. Reshjet më të dukshme do të jenë në zonat lindore dhe juglindore, kryesisht në formën e rrebesheve të shkurtra në zonat malore.
Ai theksoi se bregdeti do të vijojë të ketë mot më të qëndrueshëm, me shumë diell dhe vetëm kalime të lehta vranësirash, ndërsa në jug të vendit mund të ketë herë pas here pika shiu gjatë pasdites.
Sa i përket temperaturave, ato do të mbeten të larta për këtë periudhë, me maksimumet që në ultësirën perëndimore do të arrijnë deri në 32°C, ndërsa në zonat malore temperaturat do të ngjiten pranë 26°C. Edhe mëngjeset do të jenë të ngrohta, me temperatura komode në të gjithë territorin.