Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me asamblenë e Partisë Socialiste në Njësinë 14 në Tiranë, ku dha lajme pozitive për pensionistët dhe rritjen e pensioneve në vitet e ardhshme.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se Qeveria ka planifikuar rritje të vazhdueshme të pensioneve deri në vitin 2030, falë rritjes së ekonomisë së vendit.
“Shtesa e pensionit që u dha në janar të këtij viti do të dyfishohet në janarin e ardhshëm. Më pas do të trefishohet në vitin 2028, do të katërfishohet në vitin 2029 dhe do të arrijë pesëfishim në janarin e vitit 2030”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se rritja ekonomike ka krijuar më shumë mundësi për të mbështetur pensionistët dhe për të rritur të ardhurat për qytetarët.
Ai reagoi edhe ndaj kritikave të opozitës, duke thënë se nëse do të kishte rritje të korrupsionit, nuk do të kishte rritje të të ardhurave të shtetit apo mundësi për rritje pagash dhe pensionesh.