Një fluturim i kompanisë britanike Jet2, me 220 pasagjerë në bord, u detyrua të bëjë ulje emergjente në Porto të Portugalisë pasi piloti pësoi arrest kardiak gjatë udhëtimit nga Tenerife drejt Birminghamit.
Sipas mediave britanike, ngjarja ndodhi në mes të fluturimit, duke shkaktuar momente tensioni dhe paniku mes pasagjerëve. Stjuardesat kërkuan menjëherë ndihmë mjekësore në avion, ndërsa bashkëpiloti mori kontrollin e situatës dhe realizoi uljen emergjente.
Një prej pasagjerëve tregoi se gjithçka ndodhi papritur: “Dritat u ndezën menjëherë dhe ekuipazhi po kërkonte me urgjencë një mjek. Fëmijët nisën të qanin dhe shumë pasagjerë u frikësuan kur avioni filloi të zbriste me shpejtësi.”
Fatmirësisht, avioni u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin e Portos, ku piloti u transportua menjëherë në spital për trajtim mjekësor.
Kompania Jet2 deklaroi se siguria e pasagjerëve nuk u rrezikua në asnjë moment dhe organizoi një fluturim tjetër për kthimin e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.