Ish-prokurori Besnik Muçi, i ftuar në një studio televizive, ka komentuar zhvillimet lidhur me çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe mundësinë nëse ai mund të rikthehet në detyrë në rast se lirohet nga burgu.
Gjatë analizës së tij, Muçi shpjegoi se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk ka rrëzuar në thelb masën e “arrestit në burg” në lidhje me faktin penal apo me personin nën hetim, por ka evidentuar disa problematika që lidhen me të drejtat procedurale dhe trajtimin gjatë procesit.
Sipas tij, do të ishte e vështirë të justifikohej një dalje e Veliajt për aktivitet politik, ndërsa çështja mbetet ende në proces shqyrtimi ligjor.
Muçi theksoi se ankimi i Veliajt në Gjykatën Kushtetuese lidhej me pretendime për shkelje të të drejtave të njeriut, përfshirë kohën për njohjen me aktet, proporcionalitetin e masës së sigurisë dhe mënyrën e trajtimit gjatë seancave gjyqësore.
Ai shtoi se shumica e pretendimeve janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa janë konstatuar vetëm dy shkelje që lidhen me trajtimin dinjitoz të të pandehurit gjatë procesit.
Sipas Muçit, çështja e qëndrimit në kafaz nuk prek vetëm dinjitetin e personit, por edhe të drejtën për mbrojtje efektive, pasi kufizon komunikimin normal mes të pandehurit dhe avokatit gjatë seancës gjyqësore.