Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar përplasjet me Iranin, duke theksuar se prioriteti kryesor i SHBA-së mbetet parandalimi i Teheranit nga pajisja me armë bërthamore, më shumë sesa shqetësimet për rritjen e çmimeve të karburantit.
Ai u shpreh se, pavarësisht ndikimeve të mundshme ekonomike nga tensionet në Ngushticën e Hormuzit, çmimet e energjisë do të stabilizohen së shpejti, duke theksuar se SHBA ka burime të mëdha energjetike.
“Urgjenca kryesore është që nuk mund ta lejojmë Iranin të ketë një armë bërthamore… Ato çmime do të ulen. Do të ulen shpejt”, deklaroi Trump pas mbledhjes së Kabinetit.
Presidenti amerikan gjithashtu u shpreh kundër çdo marrëveshjeje që përfshin transferimin e uraniumit të pasuruar drejt Rusisë apo Kinës, duke shtuar se SHBA nuk do të ofrojë lehtësim sanksionesh pa ndryshim të sjelljes së Iranit.
“Jo, nuk do të ndihesha rehat. As sanksione, as para, as asgjë… Kur ata sillen siç duhet, atëherë mund të diskutojmë”, tha ai.
Trump përsëriti se Uashingtoni do të tërhiqet nga çdo negociatë nëse nuk arrihet një marrëveshje “e fortë dhe e drejtë”, duke kritikuar gjithashtu marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 si të pamjaftueshme.