Një aksident rrugor i ndodhur në Mazara del Vallo, Itali, ka lënë të plagosur 13 persona, mes tyre tetë fëmijë, pas përplasjes së një autobusi shkolle me një automjet.
Sipas mediave italiane, autobusi transportonte nxënës të shkollës Santa Gemma-Boscarino-Pirandello drejt qytetit bregdetar, të shoqëruar nga personeli i shërbimit bashkiak.
Mes të plagosurve janë edhe dy mësues, dy asistentë që ndodheshin në autobus, si dhe drejtuesi i automjetit të përfshirë në aksident. Raportohet se dy prej fëmijëve kanë pësuar lëndime më serioze dhe po marrin trajtim mjekësor.
Menjëherë pas ngjarjes në vendin e aksidentit mbërritën zjarrfikësit e Mazara del Vallo, forcat e policisë shtetërore dhe asaj bashkiake, si dhe disa autoambulanca.
Të gjithë të plagosurit u transportuan në spital për ndihmë mjekësore dhe kontrolle të mëtejshme, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.