Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia ka në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme për të “shkatërruar çdo kërcënim” ndaj enklavës së Kaliningrad, duke paralajmëruar kundër çdo përpjekjeje për sulm ndaj saj.
Deklarata e tij erdhi si përgjigje ndaj komenteve të bëra më herët nga ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kęstutis Budrys, i cili kishte sugjeruar se NATO duhet të demonstrojë aftësinë për të depërtuar në Kaliningrad.
Putin u pyet gjithashtu për raportimet e shërbimeve të inteligjencës ruse mbi pretendimet se Ukraina ka dërguar operatorë dronësh në Letonia. Ai u shpreh se çdo territor që përbën kërcënim për Rusinë mund të konsiderohet objektiv legjitim, sipas tij.
Në të njëjtën kohë, presidenti rus theksoi se Moska mbetet e hapur për bisedime mbi një zgjidhje paqësore të luftës në Ukrainë, duke shtuar se deklaratat e tij të mëparshme për “afrimin e përfundimit të luftës” bazoheshin në analizën e zhvillimeve në terren. Megjithatë, ai nuk dha një afat konkret për përfundimin e konfliktit.
Putin hodhi poshtë akuzat e vendeve perëndimore se Rusia po përgatitet për një luftë me Evropën, duke i quajtur ato “gënjeshtra” dhe duke theksuar se Rusia, sipas tij, nuk ka kërcënuar asnjëherë vendet evropiane.
Ai kritikoi gjithashtu mediat perëndimore për mënyrën e raportimit të një sulmi me dron në rajonin e Luhanskut, ku sipas autoriteteve ruse humbën jetën 21 persona.
Në një tjetër deklaratë, Putin komentoi incidentin me një dron të rrëzuar në Galati, duke thënë se nuk mund të përcaktohet origjina e tij pa një hetim të plotë, duke lënë të hapur mundësinë e përfshirjes ukrainase. Megjithatë, përfaqësues të NATO deklaruan se droni ishte me origjinë ruse.
Zëdhënës të NATO-s dhe zyrtarë amerikanë dënuan incidentin, duke e cilësuar si një “inkursion të rrezikshëm” dhe duke ritheksuar angazhimin për mbrojtjen e territorit aleat.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se sjellje të tilla përbëjnë rrezik për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, duke shtuar se Aleanca mbetet e vendosur në mbrojtjen e çdo territori të saj.