Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debateve dhe protestave të fundit lidhur me projektet turistike të parashikuara në Zvërnec dhe në ishullin e Sazani.
Gjatë fjalës së tij në prezantimin e kompanisë “Albanian Digital Solution”, Rama i cilësoi të pavërteta pretendimet se shteti shqiptar po u fal prona publike investitorëve në zonën e Zvërnecit.
Sipas tij, toka për të cilën është ngritur debat është pronë private prej vitesh dhe nuk i përket shtetit. Ai theksoi se investitorët e përfshirë në projekt e kanë siguruar atë nga pronarë privatë dhe jo nga shteti.
Rama shtoi se shteti shqiptar nuk zotëron prona në pjesën e projektit që lidhet me Zvërnecin, ndërsa situata është ndryshe në rastin e ishullit të Sazanit, ku shteti ka rol të drejtpërdrejtë përmes Korporata Shqiptare e Investimeve.
Kryeministri bëri me dije se negociatat për projektin në Sazan janë ende në proces dhe se shteti shqiptar do të jetë pjesë e këtij investimi, duke theksuar se gjithçka po ndiqet në mënyrë institucionale dhe në bashkëpunim me investitorët.
Ai i hodhi poshtë akuzat për “falje pronash”, duke i cilësuar si lajme të rreme dhe duke këmbëngulur se projekti në Zvërnec nuk përfshin transferim apo dhënie të pronave shtetërore.