Një prej rojeve private të përfshira në incidentin e ndodhur gjatë protestës në Zvërnec është arrestuar mbrëmjen e sotme nga autoritetet.
Sipas informacioneve paraprake, roja dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një protestuesi, i cili më pas është tërhequr zvarrë nga punonjësit e sigurisë private gjatë përplasjes së ndodhur në zonë.
Më herët gjatë ditës, policia njoftoi se kishte nisur hetimet ndaj dy rojeve private, të cilët shfaqeshin duke mbajtur dhe tërhequr prej krahësh protestuesin. Sipas dëshmive dhe pamjeve të publikuara, protestuesi kishte humbur ndjenjat pas goditjeve të marra gjatë incidentit.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.