Tensionet në Lindjen e Mesme rrisin shqetësimet për Bab al-Mandab, paralajmërohet ndikim në tregtinë globale
Irani dhe aleatët e tij po shqyrtojnë mundësinë e “aktivizimit të fronteve të tjera”, përfshirë ngushticën strategjike Bab al-Mandab, si reagim ndaj sulmeve të Izraelit në Liban, raportojnë mediat iraniane, sipas CNN.
Bab al-Mandab, një prej korridoreve më të rëndësishme detare në botë, ndodhet në skajin jugor të Detit të Kuq dhe shërben si nyje lidhëse mes Europës dhe Azisë përmes Kanalit të Suezit. Me vetëm 29 kilometra gjerësi në pikën më të ngushtë, kjo zonë ka qenë edhe më herët objekt sulmesh nga rebelët Huthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani.
Sipas raportimeve, çdo ndërprerje e mundshme në këtë ngushticë do të kishte pasoja të mëdha për tregtinë globale dhe tregjet e energjisë, duke rritur ndjeshëm çmimet e naftës. Rreth 15% e tregtisë detare botërore kalon përmes kësaj rruge strategjike.
Gjatë periudhës së fundit të tensioneve në rajon, sulmet ndaj anijeve tregtare kanë detyruar kompanitë detare të ndryshojnë itineraret, duke shtuar kohën dhe kostot e transportit.
Megjithatë, Huthit e Jemenit nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me raportimet e fundit, ndonëse më herët kanë deklaruar se mbyllja e Bab al-Mandab mbetet një opsion i mundshëm në kontekstin e konfliktit në Gaza.