Katër punëtorë të huaj bujqësorë kanë humbur jetën pasi u dogjën brenda një automjeti në Amedolara të Italisë, në një ngjarje tragjike që ka tronditur vendin. Policia italiane ka arrestuar dy shtetas pakistanezë të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje.
Sipas mediave italiane, tre nga viktimat ishin shtetas afganë, ndërsa i katërti nga Pakistani. I vetmi i mbijetuar, një punëtor afgan që arriti të shpëtojë duke thyer xhamin e makinës, po konsiderohet dëshmitar kyç për hetimet.
Zjarri ka shpërthyer rreth orës 13:00 pranë një pike karburanti, ndërsa një re e madhe tymi është parë nga disa kilometra larg. Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë, fillimisht për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt depozitave të karburantit dhe shmangien e një katastrofe më të madhe.
Pas shuarjes së zjarrit, trupat e viktimave u gjetën brenda automjetit.
Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, dy persona shihen duke bllokuar dyert e makinës, ndërsa një lëng i ndezshëm dyshohet se është derdhur mbi automjet, pas së cilës makina është përfshirë nga flakët dhe autorët janë larguar nga vendngjarja.
Prokuroria në Kastrovillari ka urdhëruar arrestimin e dy shtetasve pakistanezë nën akuzën e vrasjes së rëndë. Ata janë ndaluar pas disa orësh marrjeje në pyetje në Kozenca, ndërsa hetimet vijojnë në bazë të pamjeve të kamerave të karburantit.
Një rol të rëndësishëm në zbardhjen e ngjarjes ka luajtur i mbijetuari afgan, i cili në një intervistë ka përshkruar rrethanat e punës dhe jetesës së grupit. Sipas tij, punëtorët kishin nisur punë në një fermë me korrje luleshtrydhesh dhe transportoheshin çdo ditë nga dy ndërmjetës pakistanezë.
Ai ka deklaruar se fillimisht pagesat bëheshin në para të gatshme, por më vonë paga ishte vendosur 45 euro në ditë. Më pas, punëtorëve u ishte kërkuar të paguanin edhe 5 euro në ditë për transport, gjë që kishte sjellë pakënaqësi dhe konflikte.
Sipas dëshmisë së të mbijetuarit, mosmarrëveshjet për pagesën dhe transportin mund të kenë qenë një nga faktorët që çuan në këtë ngjarje tragjike.