Një mundësi e re financimi pritet të vihet së shpejti në dispozicion të të rinjve shqiptarë përmes Agjencisë Kombëtare të Rinisë. Bëhet fjalë për grante deri në 10 mijë euro, të cilat do të mbështesin iniciativa dhe projekte me ndikim në komunitet.
Një nga risitë kryesore që sjell Ligji për Rininë është njohja dhe mbështetja e grupeve joformale rinore. Përmes këtij mekanizmi, të rinjtë do të kenë mundësinë të organizohen në grupe, të regjistrohen pranë noterit si grupe joformale dhe të aplikojnë për financim të ideve të tyre.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, Sara Bodo, u shpreh se kjo skemë synon fuqizimin e të rinjve dhe krijimin e më shumë hapësirave për kthimin e ideve në projekte konkrete në shërbim të komunitetit.
“Kjo është një mundësi reale për të rinjtë që duan të sjellin ndryshim në komunitetet e tyre. Ne synojmë t’i mbështesim ata jo vetëm financiarisht, por edhe duke krijuar më shumë hapësira për pjesëmarrje dhe angazhim qytetar”, theksoi Bodo.
Këto financime synojnë të nxisin pjesëmarrjen aktive të të rinjve në jetën shoqërore, kulturore dhe komunitare, duke u dhënë mundësinë të realizojnë projekte që kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve të tyre.