Mesazhi prekës i një gruaje shtatzënë në protestë: Jam këtu për vajzën time dhe të ardhmen e Shqipërisë
Një moment emocionues u regjistrua gjatë protestës së zhvilluar në bulevard kundër projektit që ka shkaktuar debate të shumta publike. Mes protestuesve ishte edhe një grua shtatzënë, e cila përcolli një mesazh të fortë për të ardhmen e vendit dhe brezave që do të vijnë.
“Jam shumë krenare që jam sot këtu. Unë jam Anxhi dhe po protestoj për vajzën që pres të vijë në jetë, por edhe për të ardhmen e Shqipërisë”, u shpreh ajo para pjesëmarrësve.
Në fjalën e saj, Anxhi theksoi se Shqipëria u përket qytetarëve të saj dhe brezave të ardhshëm, duke shprehur kundërshtimin ndaj projektit që, sipas protestuesve, cenon interesin publik në zonën e Zvërnecit.
“Të gjithë ata që e kanë promovuar dhe dashur këtë vend ndër vite nuk mund të pranojnë që Shqipëria të humbasë vlerat e saj. Shqipëria është e jona, e fëmijëve tanë dhe e atyre që do të vijnë pas nesh”, deklaroi ajo.
Në fund të fjalës së saj, qytetarja bëri thirrje për anulimin e projektit, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të dëgjojnë zërin e qytetarëve.
“Anuloni projektin!”, ishte mesazhi i saj drejtuar autoriteteve.