18-vjeçari humb jetën në Gjakovë pas një konflikti mes fqinjëve
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjakovë, ku një 18-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra gjatë një konflikti mes fqinjëve në rrugën “Ali Ibra”.
Sipas informacioneve të raportuara, konflikti dyshohet se ka nisur pas një fjalosjeje mes viktimës dhe një fqinji të tij. Burime familjare kanë deklaruar se mosmarrëveshja mund të ketë qenë e lidhur me bindje të ndryshme politike.
Sipas raportimeve, debati verbal ka eskaluar më pas në përleshje fizike, ku janë përdorur mjete të forta dhe të mprehta. Si pasojë e plagëve të marra, 18-vjeçari nuk ka arritur të mbijetojë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin dhe ka bërë të ditur se përveç viktimës, lëndime trupore kanë pësuar edhe tre persona të tjerë, përfshirë edhe të dyshuarin për përfshirje në incident.
Njësitet policore kanë dalë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Autoritetet po punojnë për të përcaktuar motivin e saktë dhe përgjegjësit e përfshirë në konflikt.
Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa rasti ka tronditur komunitetin lokal në Gjakovë.