Resorti “Blu Borgo” në Velipojë rrethohet me tela me gjemba, banorët e Rrjollit paralajmërojnë protestë
Biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj ka rrethuar me tela me gjemba zonën ku po ndërtohet resorti turistik “Blu Borgo” në Velipojë, duke rikthyer tensionet me banorët e fshatit Rrjoll.
Banorët pretendojnë se toka ku po zhvillohet investimi u përket atyre dhe prej muajsh kanë kundërshtuar projektin përmes protestave të njëpasnjëshme. Sipas tyre, rrethimi i fundit i kantierit është kryer pa transparencë dhe kufizon aksesin në zonë.
Pamjet e publikuara nga vetë banorët tregojnë vendosjen e telave me gjemba përreth kantierit, veprim që ata e cilësojnë të papranueshëm dhe provokues.
Në shenjë kundërshtimi, banorët kanë thirrur një protestë më 13 qershor, në orën 11:00, në Rrjoll, duke bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë qytetare.
Zhvillimi vjen pak kohë pasi në Zvërnec u hoq një rrethim i ngjashëm me tela me gjemba, pas reagimeve publike dhe nisjes së hetimeve lidhur me incidentet e raportuara gjatë protestave të banorëve në atë zonë.