Sot shënohet dita e dhjetë e protestave në Tiranë kundër projektit të investimeve në Zvërnec, ku mijëra qytetarë janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj zhvillimeve që, sipas tyre, rrezikojnë mjedisin dhe zonat e mbrojtura.
Ndërkohë që organizatorët kanë këmbëngulur se protesta është qytetare dhe jopolitike, zhvillimet e fundit tregojnë se çështja ka gjetur jehonë edhe në arenën politike.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka depozituar në Kuvend një paketë propozimesh ligjore që synojnë ndryshimin ose shfuqizimin e disa ligjeve që lidhen me investimet dhe mbrojtjen e territorit. Mes kërkesave të paraqitura janë shfuqizimi i ligjit për Investimet Strategjike, ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjit të njohur si “Paketa e Maleve” dhe disa dispozitave të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Po ashtu, deputetja e PD-së Ina Zhupa ka depozituar një kërkesë për interpelancë urgjente me Ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupi, për të diskutuar mbi çështjet që lidhen me administrimin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura.
Edhe Lëvizja Bashkë ka ndërmarrë hapa të ngjashëm. Deputeti Redi Muçi ka paraqitur në Kuvend propozime që përfshijnë shfuqizimin e Paketës së Maleve, ligjit për Investimet Strategjike dhe ndryshimeve që prekin Zonat e Mbrojtura.
Pavarësisht përfshirjes së forcave politike në debat, protestuesit kanë vijuar të theksojnë se lëvizja e tyre mbetet qytetare dhe e pavarur nga partitë politike, duke kërkuar që fokusi të mbetet tek mbrojtja e Zvërnecit dhe zonave të tjera me rëndësi mjedisore.