Një video e shpërndarë së fundmi në rrjetet sociale ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe ka rikthyer në qendër të diskutimeve ish-banorin e Big Brother VIP Albania, Joz Marku.
Pamjet janë shkëputur nga emisioni “Kosova Show”, i moderuar nga Shpetim Desku, ku Jozi shihet i tensionuar gjatë një bisede në studio. Në videon e publikuar, ai ngrihet nga vendi dhe i afrohet moderatorit, ndërsa në një moment duket sikur e kap nga kollarja, duke i thënë:
“Je duke më acaruar shumë. Jam në shtëpinë tënde…”
Megjithatë, videoja e bërë publike zgjat vetëm pak sekonda dhe nuk tregon të gjithë kontekstin e ngjarjes, duke lënë vend për interpretime të ndryshme.
Pas publikimit të pamjeve, në rrjet kanë nisur debatet mes ndjekësve, të cilët pyesin nëse bëhet fjalë për një përplasje të vërtetë apo për një skenë të organizuar në funksion të emisionit.
Deri në këtë moment, as Joz Marku dhe as moderatori Shpetim Desku nuk kanë reaguar zyrtarisht për të sqaruar situatën. Ndërkohë, emisioni i plotë pritet të transmetohet të enjten, kur pritet të zbardhen më shumë detaje mbi atë që ndodhi në studio.
