Autoriteti Detar i Iranit ka njoftuar mbylljen e plotë të Ngushticës së Hormuzit deri në një njoftim të ri, pas përshkallëzimit të tensioneve ushtarake në rajon.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, autoritetet iraniane theksuan se vendimi është marrë pas sulmeve të fundit amerikane dhe njoftimit të bërë nga Garda Revolucionare iraniane.
“Për shkak të tensioneve të krijuara nga agresioni i forcave amerikane në rajon dhe zhvillimeve të fundit ushtarake, Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në një vendim të ri”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, për natën e dytë radhazi, SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer sulme ndaj objektivave të ndryshme në Lindjen e Mesme. Komanda Qendrore Amerikane njoftoi se ka kryer operacione ushtarake ndaj disa pozicioneve iraniane, duke synuar radarë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Bandar Abbas, si dhe në ishujt Qeshm dhe Hengam.
Si kundërpërgjigje, Irani ka lëshuar raketa drejt objektivave ushtarake në rajon, duke marrë në shënjestër baza amerikane në Kuvajt, Bahrein dhe Jordani. Sipas Gardës Revolucionare, 12 raketa balistike janë lëshuar drejt bazës Al-Azraq në Jordani, ku ndodhen avionë luftarakë amerikanë të tipit F-35, F-15 dhe F-16.
Zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimet për sigurinë në një nga korridoret më të rëndësishme detare të botës, përmes të cilit kalon një pjesë e konsiderueshme e tregtisë globale të naftës.