Autoriteti Detar i Iranit ka konfirmuar mbylljen e plotë të Ngushticës së Hormuzit deri në një njoftim të ri, pas vendimit të shpallur më herët nga Garda Revolucionare Iraniane.
“Në kushtet e tensioneve të shkaktuara nga agresioni i forcave amerikane në rajon dhe bazuar në njoftimin e bërë nga forcat e armatosura iraniane, Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në një vendim të ri”, thuhet në deklaratën zyrtare të publikuar nga Autoriteti i Ngushticës së Gjirit Persik.
Ndërkohë, për të dytën natë radhazi, SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer sulme ndaj objektivave ushtarake në rajon. Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se gjatë natës ndërmori operacione ajrore kundër pozicioneve iraniane, duke goditur radarë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Bandar Abbas, si dhe në ishujt Qeshm dhe Hengam.
Si kundërpërgjigje, Irani lëshoi raketa drejt bazave ushtarake amerikane në Kuvajt, Bahrein dhe Jordani. Sipas Gardës Revolucionare, 12 raketa balistike u drejtuan ndaj bazës Al-Azraq në Jordani, ku janë të stacionuar avionë luftarakë amerikanë F-35, F-15 dhe F-16.