Ditën e premte vendi do të përfshihet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti pritet të karakterizohet nga vranësira të dendura në pjesën më të madhe të territorit, të cilat gradualisht do të fillojnë të shpërndahen pas mesditës.
Reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të mëngjesit dhe do të prekin shumicën e zonave të vendit, kryesisht me intensitet të ulët. Herë pas here priten edhe shtrëngata të shoqëruara me shkarkesa elektrike, ndërsa në zona të izoluara mund të ketë edhe breshër.
Gjatë orëve të ditës, reshjet do të jenë më të pakta dhe të herëpashershme, duke u përqendruar kryesisht në zonat malore dhe në juglindje të vendit.
Temperaturat minimale do të zbresin deri në 12°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 30°C.
Era do të fryjë nga veriu me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore herë pas here do të arrijë deri në 15 m/s.