Politologu Melazim Koçi ka komentuar zhvillimet që lidhen me njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe mundësinë e anëtarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Gjatë një interviste në emisionin “Balkan Talks” në Euronews Albania, Koçi u shpreh se një marrëveshje e mundshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mund të ndryshojë rrjedhën e procesit për anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Sipas tij, deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq mund të interpretohen si një sinjal se Beogradi po përballet me presion në rritje për të pranuar realitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Koçi theksoi se, në rast të një dakordësie ruso-amerikane për çështjen e Kosovës, Rusia mund të mos e përdorë veton në Këshillin e Sigurimit, duke hapur rrugën për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe duke kufizuar ndikimin e Serbisë në këtë proces.
Ai shtoi se kjo mund të jetë një formë paralajmërimi për Beogradin, nëse nuk tregon gatishmëri për të ecur drejt një zgjidhjeje përfundimtare me Kosovën.